Letër-urim me rastin e 9 majit, Dita e Evropës

Me rastin e kësaj
dite të madhe të vendosjes së themeleve të familjes së gjerë që sot quhet
Bashkimi Evropian, drejt së cilës synojmë edhe ne si shoqëri civile, Ju përcjellim urimet dhe përgëzimet më të sinqerta në emër të Qendrës për
Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, me shpresë që pjesë e kësaj familje me vlera demokratike të bëhet sa më shpejtë edhe
Ballkani Perëndimor në përgjithësi dhe Republika e Maqedonisë në veçanti, sepse konsiderojmë se edhe struktura e Bashkimit
Evropian nuk është e kompletuar pa përfshirjen në gjirin e vet të kësaj pjese të
vjetër të Evropës.
Me këtë rast, e
vlerësojmë lartë kontributin që ju personalisht dhe paraardhësit tuaj e keni dhënë
si Zyre e Bashkimit Evropian në Maqedoni, në drejtim të zhvillimit të
demokracisë në vendin tonë, veçanërisht në fushën e të drejtave
dhe lirive të njeriut, sundimit të së drejtës, lirisë së shprehjes, luftës kundër
krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe bujqësor etj.

Po ashtu, e
konsiderojmë si shumë të nevojshëm dhe të arsyeshëm edhe angazhimin e Bashkimit
Evropian, në mënyra të ndryshme, për tejkalimin e krizës politike që ka përfshirë
Republikën e Maqedonisë vitet e fundit, si rezultat i papërgjegjësisë së liderëve
tanë politikë. Shpresojmë që ky angazhim i juaji të vazhdojë me intenzitet edhe
më të lartë në ditët në vijim, në drejtim të gjetjes së një zgjidhje të drejtë
të krizës aktuale politike në vend, gjë që do të kontribuonte edhe për
zhbllokimin e rrugëtimit evro-integrues të Republikës së
Maqedonisë.