APEL PËR ZGJEDHJE TË LIRA, FER DHE DEMOKRATIKE

Me rastin e organizimit të zgjedhjeve presidenciale – rrethi i dytë, të cilat do të mbahen ditën e diel, më 5 Maj, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) bën apel për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.
Meqë, edhe raporti i fundit i progresit të Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ishte i kushtëzuar, mes tjerash, edhe me organizimin e zgjedhjeve presidenciale fer dhe të lira, është më se e nevojshme që të gjitha institucionet shtetërore kompetente për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pra Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Punëve të Brendshme, t’i garantojnë çdo qytetari realizimin e të drejtës së votimit, duke mos ia cenuar në asnjë mënyrë askujt këtë të drejtë.
Po ashtu, u bëjmë apel të gjitha subjekteve politike, të cilat drejtpërdrejtë garojnë në procesin zgjedhor, që në ditën e votimit të respektojnë rregullativën zgjedhore dhe normat tjera pozitive ligjore, duke kontribuuar në mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor.
QMBI fton edhe qytetarët e RM-së, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të dhënë votën e lirë, sipas bindjeve të tyre personale.
Me shpresë për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim institucional