DEBAT I ORGANIZUAR NGA QMBI MBI INCIDENTET DHE PROVOKIMET E FUNDIT NË MAQEDONI

Lidhur me ngjarjet e fundit në Republikën e Maqedonisë në rrafshin ndëretnik dhe ndërfetar, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, me 03.02.2012, në Hotelin ARKA në Shkup, organizoi debatin me temë: “Incidentet dhe provokimet e fundit, sfidë për marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në Republikën e Maqedonisë”.

Panelistë në debatin në fjalë ishin profesorët universitarë Nazmi Maliqi dhe Ivan Anastasovski, analistët Kim Mehmeti dhe Petar Arsovski, si dhe Ognen Kocevski përfaqësues i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze.
Konstatim i përgjithshëm i pothuajse të gjithë diskutuesve ishte se marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare aktualisht janë mjaft të tensionuara në Republikën e Maqedonisë, edhe kryesisht për shkak të veprimit të pamatur dhe nacionalist të individëve dhe grupeve të papërgjegjshme, të cilët shkaktojnë incidente dhe provokime të rënda në baza etnike dhe fetare.