DEBAT I ORGANIZUAR NGA QMBI MBI ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

Me 18 shkurt 2014, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucion (QMBI), me rastin zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë, të parapara për muajin prill të këtij viti, organizoi debatin publik me temë: “Zgjedhjet presidenciale – a është i mundshëm konsensualiteti?”, ku nga ekspertë e politikanë të orientimeve të ndryshme politike u diskutua mundësia e gjetjes së një kandidati konsensual për kryetar të shtetit, nevoja dhe domosdoshmëria për një gjë të tillë, respektivisht fakti se çfarë fiton dhe çka humb Republika e Maqedonisë nga një president eventual konsensual.

Debati u organizua në Hotelin “Stone Bridge” në Shkup, kurse si panelistë ishin të ftuar Prof. Dr. Vllado Popovski, ish-ministër në disa përbërje qeveritare dhe aktualisht këshilltar i VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit; deputetja e BDI-së, znj. Ermira Mehmeti; z. Hari Lokvenec, anëtar i Kryesisë Qëndrore të LSDM-së, si dhe profesoresha universitare dhe ish-deputetja, Dr. Flora Kadriu.
Gjatë këtij debati, mbizotëroi mendimi se Republika e Maqedonisë ka nevojë për një kandidat konsensual për kryetar shteti, i cili do të përkrahet nga të gjitha bashkësitë etnike dhe përfaqësuesit  e tyre politik.