DEBAT LIDHUR ME AFERËN E PËRGJIMEVE

Me 15 prill 2015, në hotelin Stone Bridge në Shkup, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional realizoi debatin e hapur me temë: “Maqedonia në vorbullën e përgjimeve – çfarë është zgjidhja?”

Panelistë të këtij debati ishin:

– Akademik Abdulmenaf Bexheti, profesor universitar dhe ish-ministër
– Prof. Dr. Vllado Popovski, profesor universitar dhe ish-ministër
– Prof. Dr. Nazmi Maliqi, profesor universitar dhe ish-deputet
– Lubço Georgievski, ish-kryeministër i RM

 

Në prezencë të një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve dhe musafirëve, panelistët trajtuan një temë shumë aktuale politike dhe të sigurisë për momentin në Republikën e Maqedonisë, aferën e përgjimit të bisedave telefonike dhe publikimin e tyre në opinion.

Gjatë debatit në fjalë, QMBI shpalosi edhe qëndrimet e veta për dalje nga kriza e krijuar:

1. Ndërmjetësim më i fuqishëm i faktorit ndërkombëtar, me pjesëmarrje edhe më aktive dhe më serioze të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.

2. Formimi i një qeverie kalimtare të llojit të ekspertëve, ngase çdo formë tjetër e qeverisjes, madje edhe ajo e zgjeruar, do të ishte jofunksionale për momentin. Obligimet kryesore të kësaj qeverie ekspertësh të jenë si vijon:
– Përgatitja elementare për zgjedhje të rregullta parlamentare, e që nënkupton pastrimin e listave zgjedhore dhe ndryshimet tjera të nevojshme në legjislacionin zgjedhor, përfshirë këtu edhe anulimin e mundësisë së pjesëmarrjes së diasporës në procesin zgjedhor, për një afat të caktuar, gjegjësisht deri në eliminimin e parregullësive të shumta të shfaqura gjatë këtij procesi;
– Reformat në gjyqësor dhe në Prokurorinë publike, respektivisht riemërim i përgjithshëm i gjykatësve dhe prokurorëve publik, me qëllim të rikthimit të besimit të qytetarëve te këto institucione. Në këtë kuptim, të bëhet ndryshimi i modelit për zgjedhjen e kryeprokurorit shtetëror, me çka qeverive të ardhshme do t’u pamundësohet ndikimi i drejtpërdrejtë politik mbi këtë organ të rëndësishëm për ndjekjen e kryerësve të veprave penale;

3. Pjesëmarrje e drejtpërdrejtë e ekspertëve të BE-së dhe të SHBA-ve në zhvillimin e mëtutjeshëm të procedurave juridike dhe padive penale të ngritura për dy rastet aktuale, gjegjësisht “Afera e përgjimeve” dhe “Puçi”, në mënyrë që situata e krijuar të merr një përfundim të drejtë juridik, duke mos amnistuar në asnjë mënyrë kryerësit e krimeve dhe veprave të rënda penale, kushdo ata qofshin.