Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) uron krerët shtetërorë dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rastin e aprovimit të mbrëmshëm përfundimtar, nga ana e liderëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të vendimit të shumëpritur për fillimin e bisedimeve për aderim të Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane.
Me këtë rast, shprehim mirënjohje të thellë deri te udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për këtë vendim tejet të rëndësishëm për vendin tonë në veçanti dhe rajonin në përgjithësi. Kjo, padyshim, paraqet një ngjarje historike për Maqedoninë e Veriut, pasi që tashmë po jetësohen dëshirat e qytetarëve tanë dhe përpjekjet e institucioneve vendore për të filluar hapërimin drejt bërjes sonë pjesë e familjes së madhe të BE-së.
Ndonëse deri te anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, para nesh gjendet një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë, megjithatë, besojmë fuqishëm se, me angazhim serioz të të gjitha institucioneve relevante vendore dhe me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, ky rrugëtim historik do të përfundojë me sukses dhe Republika e Maqedonisë së Veriut për disa vjet do të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian.