10 DHJETORI – DITA NDËRKOMBËTARE E TË DREJTAVE TË NJERIUT

​Kjo datë është një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI)u drejtohet Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe opinionit të gjerë me këtë:

LE T Ë R  T Ë  H A P U R

Pasi që në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është caktuar seancë për kushtetutshmërinë e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve (lexo Gjuhës Shqipe), ne si QMBI e pamë të arsyeshme që të sqarojmë të drejtën e përdorimit të gjuhës/ve në përgjithësi dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut në veçanti.

E drejta e përdorimit të gjuhës në përgjithësi është një e drejtë natyrore. E drejta natyrore është një filozofi që pohon se disa të drejta janë të natyrshme nga natyra njerëzore, pra lindin me vetë njeriun ose më saktë thënë, vetë Perëndia ia fal njeriut pa i lënë hapësirë atij për zgjedhje. Dhe këto të drejta të lindura nga natyra duhet të nënkuptohen si universale. Një nga këto të drejta është edhe e drejta e përdorimit të gjuhës.

E drejta e përdorimit të gjuhës është një nga të drejtat më thelbësore jo vetëm për një individ apo shoqëri, por edhe për shtetin dhe politikën e tij në përgjithësi. Pra, kjo e drejtë është kruciale për çdo sistem ligjor-demokratik. 

Rëndësia e përdorimit të gjuhës nga individi-shoqëria qëndron edhe në atë se gjuha është një element thelbësor dhe shprehje identiteti, si individual ashtu edhe kolektiv, sepse për shumë njerëz që u përkasin pakicave kombëtare, gjuha është një ndër faktorët kryesorë të identitetit dhe të identifikimit të tyre.Pra, ajo është mjet për forcimin e identifikimit të individit me shtetin dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërmjet bashkësive. Por jo vetëm kaq, sepse gjuha është tipar qëndror si për kulturën, ashtu edhe për trashëgiminë kulturore të vendit. 

Gjuha është element themelor i një kombi, që e bën të mundur lulëzimin e gjithanshëm të personalitetit të njeriut, pavarësisht ku ai jeton dhe vepron dhe në krahasim me të gjitha elementet tjera kombëtare, përparësia e padiskutueshme e gjuhës amtare qëndron në faktin se ajo mundëson komunikimin, ku pa të nuk mund të sqarohet as roli i jetës shoqërore, sepse vetëm në gjuhën amtare mund të shprehen ashtu siç duhet emocionet, ndjenjat, mendimet, si dhe nëpërmjet saj shprehen proceset intelektuale. Për gjuhëtarin Joshua Fishman, gjuha nuk është vetëm një mjet për shprehjen e mendimeve, perceptimeve, ndjenjave dhe vlerave karakteristike të një komuniteti, por ajo gjithashtu përfaqëson një shprehje themelore të identitetit social. Siç e dimë, gjuha që ne flasim është pjesë e asaj se kush jemi ne. Kjo na jep një ndjenjë të fuqishme të përkatësisë me ata që flasin si ne dhe një ndjenjë po aq të fuqishme për dallim nga ata që nuk e bëjnë këtë. Dhe ne e dimë që kur dikush e sulmon gjuhën tonë apo edhe vetëm theksin tonë, ndiejmë se po sulmohemi vetë ne. Andaj, me diskriminimin që mund t’i bëni një gjuhe, ju nuk bëni gjë tjetër vetëm se të diskriminoni folësit e saj dhe në këtë drejtim me mosrespektimin e gjuhës, ju nuk më respektoni mua dhe gjithë folësit tjerë si unë. 

Gjithashtu duhet thënë se gjuha është karakteristikë që e veçon një komb nga të tjerët dhe pasi kombet identifikohen përmes gjuhës, atëherë është krejt e natyrshme që ato të mund ta përdorin, kultivojnë, zhvillojnë e përparojnë gjuhën e tyre, sepse në të kundërtën, ajo gjuhë mund të rrezikohet që të zhduket, e me zhdukjen e gjuhës, fillon edhe procesi i asimilimit të kombit-popullit.

Andaj, për shkak të kësaj rëndësie që ka gjuha në përgjithësi, e drejta e përdorimit të saj është e paraparë, rregulluar, si dhe e përcaktuar jo vetëm me akte të brendshme shtetërore (kushtetutë, ligje e akte nënligjore), por edhe me akte ndërkombëtare. 

Siç e paralajmëruam, e drejta e përdorimit të gjuhës amtare është një e drejtë themelore e njeriut, e garantuar nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat u garantojnë individëve të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre si në sferën private ashtu edhe në sferën publike. Instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut krijojnë një standard minimal për përdorimin e gjuhëve, kryesisht në sferën private, por edhe në arsim, media, kontakt me administratën etj. Por këto janë standarde minimale, të cilat i lejojnë shtetet të shkojnë përtej asaj që kërkohet me instrumentet e lartpërmendur.

Pasi që e drejta e përdorimit të gjuhës në përgjithësi është kategori kushtetuese, që nënkupton se kjo e drejtë ka një vend të posaçëm në çdo kushtetutë, ku edhe rregullohet si e tillë, ashtu edhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e garantuar si gjuhë e dytë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase, me Amendamentin V-së të Kushtetutës së RMV-së.

Për shkak të rëndësisë që kanë gjuhët zyrtare, kushtetutvënësi e ka paraparë të nevojshme miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili është miratuar dy herë nga ana e shumicës parlamentare, edhe atë më 11.01.2018 me 69 vota pro nga 69 deputetë të pranishëm në seancë, në mungesë të opozitës dhe pasi Presidenti i atëhershëm RMV-së, Gjorge Ivanov,refuzoi që ta dekretojë të njëjtin, miratimi i këtij ligji ndodhi përsëri më 14.03.2018 me 64 vota pro dhe asnjë “kundër” e “abstenim”, ndërsa ka hyrë në fuqi më datë 14.01.2019.

Pas miratimit dhe hyrjes në fuqi, i njëjti është është dërguar në Komisionin e Venedikut për mendim dhe njëkohësisht për të njëjtin janë dërguar 13 iniciativa në Gjykatën Kushtetuese, me të cilat pretendohet se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse shkon përtej asaj çka parasheh Kushtetuta.

Dhe për fund, QMBI-ja qëndron fuqishëm në konstatimet se, edhe në bazë të:

• Opinionit të Komisionit të Venedikut, Ligji i Përdorimit të Gjuhëve duhet të mbetet në fuqi, sepse “implikimet financiare dhe teknike, si dhe mungesa e qartësisë së disa dispozitave” që përmenden aty, nuk mund të jenë bazë për shfuqizimin e tij nga Gjykata Kushtetuese e RMV-së, krahasuar në anën tjetër me përputhshmërinë e plotë të tij me Amendamentin V dhe frymën e Kushtetutës dhe të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si dhe nevojën reale të përdorimit të gjuhës shqipe dhe marrjen e përgjigjeve edhe në gjuhën shqipe nga ana e shqiptarëve, si komuniteti i dytë më i madh dhe shtetformues në këtë vend.

• Dhe sidomos kur bëhet fjalë për ligjet që rregullojnë çështjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, “shtrirja, zgjerimi” e/i lirive dhe të drejtave me ligj nuk mund të konsiderohet aspak jokushtetuese. Por ajo çka do të ishte më problematike dhe që ekziston në RMV është e kundërta e kësaj, domethënë kufizimi i lirive dhe të drejtave kushtetuese me ligj. 

Shkup, 10.12.2024                                                                Dr. Kujtim Kasami- Kryetar i QMB