DEBATI: KUSH PO I MINON MARRËDHËNIET NDËRETNIKE DHE NDËRFETARE NË VEND?

Në fillim të vitit, institucionet shtetërore filluan ndërtimin e një kishe/muze në pjesën historike të qytetit të Shkupit, në Kalanë e Shkupit. Ky veprim nxiti reagime të shumta në mesin e popullatës shqiptare dhe myslimane. Me këtë rast ndodhi edhe një incident i rëndë dhe konfrontim mes shqiptarëve dhe maqedonasve në lokalitetin e kalasë. Pati shumë të lënduar dhe të burgosur. Me drejtim të qartësimit të gjërave dhe qetësimit të situatës, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, më 16.02.2011, në lokalet e Komunës së Çairit në Shkup, organizoi një debat me temë: “Kush po i minon marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend?”
Si debatues morën pjesë dy profesorë eminentë nga vendi dhe njohës të mirë të rrjedhave politike dhe të sigurisë: Prof. Dr. Ferid Muhiq dhe Prof. Dr. Biljana Vankovska.
Sipas profesorëve të lartpërmendur, ngjarjet e fundit rreth ndërtimit të kishës në Kalanë e Shkupit mund ta destabilizojnë shtetin dhe kërcënojnë marrëdhëniet ndëretnik dhe ndërfetare. Debatuesit shfaqën pakënaqësinë e tyre ndaj funksionimit të institucioneve të shtetit, të cilat duhet të jenë ruajtëse të rendit, paqes, qetësisë dhe raportet të mira ndëretnike e ndërfetare, e jo shkatërruese të tyre.