KONFERENCË PËR SHTYP ME RASTIN E ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE

Me rastin e fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit në Republikën e Maqedonisë, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, me datë 16.05.2011,  mbajti një konferencë për shtyp, përmes të cilës u bëri thirrje publike subjekteve politike në Maqedoni për një proces zgjedhor të qetë, korrekt dhe të qytetëruar.
Në këtë konference për shtyp, QMBI i përkujtoi edhe njëherë subjektet politike në vend, se gara politike gjatë procesit zgjedhor duhet bazuar në norma ligjore dhe rregulla demokratike, ndërsa beteja politike për të fituar besimin dhe votën e qytetarëve të mbështetet në ofrimin e zgjidhjeve të qëlluara kadrovike dhe platformave të qarta programore partiake, e jo në etiketimet, ofendimet dhe nënçmimet e oponentëve politik.
Sipas QMBI, një fushatë e mirëfilltë parazgjedhore, larg tensioneve ndërpartiake dhe manifestimeve të dhunshme, do të kontribuojë për një ditë të qetë e festive zgjedhore dhe do të jetë  dëshmi e pjekurisë demokratike dhe perspektivës evropiane të shtetit.