DEBAT I REALIZUAR NGA QMBI: “SITUATA NË VERIUN E KOSOVËS DHE REFLEKTIMET E MUNDSHME NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË DHE RAJON”

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, me datë 17.11.2011, në Komunën e Çairit në Shkup, organizoi debatin me temë: “Situata në Veriun e Kosovës dhe reflektimet e mundshme në Republikën e Maqedonisë dhe rajon”.
Panelistë në debatin në fjalë ishin profesorët universitarë dhe analistët e mirënjohur për opinionin tonë, Dr. Nexhmedin Spahiu dhe Dr. Milazim Krasniqi nga Republika e Kosovës, si dhe Dr. Rizvan Sulejmani, ish deputet dhe ish ministër nga Republika e Maqedonisë.
Duke e trajtuar çështjen e qytetit të Mitrovicës dhe Veriut të Kosovës si një problem mjaft kompleks i cili po rrezikon paqen në rajon dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, diskutuesit në fjalë i bënë një trajtim të thuktë kësaj çështje në fusha dhe kontekste të ndryshme, si ai historik e gjeostrategjik, politik e ekonomik, rajonal e ndërkombëtar.