Letër-urim me rastin e 8 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës

             Me rastin e 8 vjetorit të pavarësisë, Qendra
për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) uron qytetarët dhe
institucionet e Republikës së Kosovës.

QMBI, me këtë rast, shpreh shqetësimin e
vet për situatën e brishtë politike dhe të sigurisë nëpër të cilën po kalon
shteti i Kosovës muajve të fundit, në rend të parë për shkak të papërgjegjësisë
politike që po manifestojnë aktorët politikë vendorë, edhe atë si nga partitë
qeveritare, po ashtu edhe nga ato opozitare, të cilat, me sjelljet e tyre, po
vënë në rrezik funksionimin e mirëfilltë të institucioneve shtetërore. Urojmë
që politikanët kosovarë të vendosin interesin patriotik shtetëror para
ambicieve të tyre personale dhe kjo situatë e tensionuar të tejkalohet pa
pasoja më të rënda,
Pavarësia e Kosovës është arritur me shumë
mund e sakrifica gjatë shekujve, me djersën dhe gjakun e mijëra atdhetarëve të
vërtetë, prandaj askush nuk ka të drejtë të pakësojë asgjë nga kjo mëvetësi e
arritur, e as të shkatërrojë arritjet e deritanishme të shtetformësisë.
Shpresojmë që viteve të ardhshme kjo ditë
e madhe të shënohet në gjendje më të qetë dhe me më shumë dinjitet, duke
tejkaluar me urtësi krizën e thellë që ka kapluar institucionet e Republikës së
Kosovës dhe vendin në përgjithësi.
Qendra për Mirëkuptim dha Bashkëpunim Institucional
Muhamed Murtezi, Kryetar