QMBI MBËSHTET PROTESTAT NË TETOVË DHE SHKUP, KUNDËR NDOTJES SË AJRIT

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) shpreh shqetësimin e vet në lidhje me ndotjen gjithnjë e më të madhe dhe të padurueshme të ajrit pothuajse në tërë vendin, posaçërisht ndaj helmimit kronik që po u bëhet qytetarëve të Shkupit, të Tetovës dhe Pollogut në përgjithësi.

Për fat të keq, as rritja e nivelit të ndotjes së ajrit në shifra marramendëse, si ajo e para dy-tre ditëve në Tetovë e rrethinë, duke tejkaluar gati 20 herë kufirin e lejuar maksimal, nuk alarmoi mjaftueshëm faktorët relevantë politikë dhe institucionalë vendorë për të ndërmarrë një hap urgjent dhe më të vendosur në drejtim të pengimit të helmimit të mëtejmë të popullatës dhe vrasjes së ngadalshme që po u bëhet banorëve të kësaj ane.
Duke pasur parasysh gjendjen e rënduar dhe papërgjegjësinë shtetërore, QMBI mbështet fuqishëm protestat e paralajmëruara kundër ndotjes së ajrit në Tetovë e Shkup, dhe fton anëtarësinë e vet dhe të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare ose partiake, që të ngrejnë zërin për një ambient më të pastër dhe për një jetë më dinjitoze, sepse helmimi që vjen nga Jugohromi dhe ndotësit tjerë industrialë nuk dallon njerëzit nga kombësia ose nga feja, e as për nga preferencat partiake dhe politike.
Sektori për Marrëdhënie me Publikun