Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore realizoi takim me Qendrën për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, ku u diskutua rreth fushave të bashkëpunimit që do të ishin në interes të të dy palëve.
Edhe pse kjo organizatë joqeveritare është me tepër e fokusuar në problemet shoqërore, kryetari i OEMVP-së e sheh të arsyeshme bashkëpunimin, sepse përveç mbrotjes së interesave të kompanive anëtare, aktivitetet e Odës bazohen edhe në atë se sa do përfitojë vetë shoqëria. Këtu u përmend si shembull projekti i përbashkët i OEMVP-së dhe Fondacionit Albiz (Dauti), projekt që ka të bëjë me atë se si të pamvarësohen dhe mbijetojnë organizatat joqeveritare.
Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së Fatmir Bytyqi, tha se ideja e një aktiviteti të përbashkët do të përfshihet edhe në strategjinë e punës së Odës dhe do jetë në interes për kompanitë anëtare. Drejtori theksoi që Oda tash po lançon një projekt të ri, një vend ku të rinjtë dhe të rejat do kenë mundësi që të realizojnë idetë apo planet e biznesit, dhe me këtë do të synojnë të bëjnë një ndryshim duke sjellë një shpresë në shoqëri dhe jo vetëm në biznes.
Kryetari i QMBI Muhamed Murtezi, shprehu mirënjohjen e tij për realizimin e këtij takimi me shpresë se kjo është vetëm fillimi dhe se në të ardhmen do të ketë edhe shumë aktivitete tjera të përbashkëta, i cili bashkëpunim më vonë do të zyrtarizohej edhe me nënshkrimin e një memorandumi.