Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) mirëpret vendimin e djeshëm të Prokurorisë Speciale Publike për të tërhequr padinë ndaj të akuzuarve të rastit “Sopoti” dhe shpalljen e tyre si të pafajshëm, si një vendim të drejtë dhe të shumëpritur, por që epilogun përfundimtar do ta sigurojë me marrjen në përgjegjësi dhe dënimin e të gjithë personave zyrtarë që kontribuan në montimin e këtij procesi gjyqësor dhe me gjetjen e fajtorëve të vërtetë të këtij rasti.
Në anën tjetër, QMBI dënon vendimin e Prokurorisë Publike për të rikualifikuar lëndën në rastin e vrasjes së Almirit të vogël, nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”, duke e vlerësuar këtë si një veprim tendencioz dhe të paprecedentë. Me këtë rast, QMBI u bashkangjitet zërave për dorëheqje të kryeprokurorit Jovevski dhe prokurores së lëndës, Kusingerska, ndërsa i jep mbështetje të parezervë protestës së paralajmëruar për nesër, 21 mars, nga Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin”, para Qeverisë së RM-së, kundër rikualifikimit të lëndës në fjalë.
Sektori për Marrëdhënie me Publikun