Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), me datë 5 mars, në sallën e madhe të mbledhjeve të Këshillit të Komunës së Çairit, realizoi debatin e hapur kushtuar Strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian, me temë “Efektet (defektet) e Metodologjisë së re të BE karshi vendeve aspirante”.
I ftuar dhe pjesëmarrës si panelist në këtë debat ishte edhe Ambasadori i Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ekselenca e tij, z. Christian Thimonier, i cili shpjegoi objektivat e metodologjisë së re të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke i vërë ato në kuadër të reformave të nevojshme brenda vetë BE-së dhe mënyrës së re të vlerësimit të vendeve që kanë si synim të tyre përfshirjen në familjen e madhe evropiane.
Panelistë tjerë në këtë debat të hapur ishin edhe Prof. Dr. Nano Ruzhin dhe Prof. Dr. Nazmi Maliqi, të cilët, mes tjerash, e vlerësuan pozitivisht metodologjinë e re të propozuar nga Komisioni Evropian, duke shpresuar që në samitin e radhës në Zagreb të sillet vendim mbi hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
