Me datë 23 shtator 2024, në Hotel BUSHI në Shkup, u realizua Konferenca ndërkufitare në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Kosovë, “Be Clean, Be Green”, ku si partnerëimplementues janë dy komuna përfituese dhe dy organizata joqeveritare nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, edhe atë:Komuna e Haraçinës (Republika e Maqedonisë së Veriut),Komuna e Rahovecit (Republika e Kosovës), Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (Shkup) dhe Green Art Center (Prishtinë).
Fjalë rasti në këtë konferencë patën z. Ridvan Ibraimi, Kryetar i Komunës së Haraçinës; z. Smajl Latifi, Kryetar i Komunës së Rahovecit; z. Vullnet Arifi, udhëheqës i Sektorit për Unionin Europian dhe Koordinator për bashkëpunim ndërkufitar pranë Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të RMV, dhe z. Berat Limani, përfaqësues i IPA Programit për bashkëpunim ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Kosovë, Zyra në Shkup.
Përndryshe, “Be Clean Be Green” është një projekt i rëndësishëm ekologjik për të dyja komunat përfituese dhe për banorët e tyre, i cili ka për synim përforcimin e bashkëpunimit rajonal në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe trajtimin e ujërave të zeza. Qëllimi i këtij projekti është të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, të përforcojë kohezionin social dhe të mbrojë mjedisin përmes menaxhimit të resurseve natyrore. Disa prej aktiviteteve kryesore të këtij projekti përfshijnë krijimin e një qendre për ndarjen dhe selektimin e mbeturinave komunale në Haraçinë, ndërtimin e sistemeve të kanalizimit bio në 6 vendbanime të Rahovecit, si dhe hartimin e planeve për menaxhimin e mbeturinave, energjisë dhe klimës për të dyjakomunat.
Ky partneritet i vendosur mes dy komunave të sipërpërmendura, i ndihmuar përmes këtij projekti konkret të mbështetur nga Bashkimi Evropian, paraqet një hap të rëndësishëmbashkëpunues për ruajtjen dhe zhvillimin e ambientit jetësor në dobi të qytetarëve të të dyja komunave përfituese nga ky projekt mjaft i rëndësishëm.