Takim me kryetarin e ri të Kuvendit të RM-së, z. Talat Xhaferi

Një delegacion i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), i udhëhequr nga kryetari Mr. Muhamed Murtezi, me datë 13.06.2017 (e martë), në hapësirat e Kuvendit të RM-së realizoi një takim me kryetarin e parë shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi.

Fillimisht, delegacioni i QMBI-së uroi kryetarin e ri të Kuvendit, z. Talat Xhaferi për postin e marrë, e më pas ai u njoftua rreth funksionimit dhe aktiviteteve të Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional nga ana e kryetarit Mr. Muhamed Murtezi. Me këtë rast, kryetarit të Kuvendit iu dhuruan disa botime të QMBI-së, përfshirë këtu edhe revistën shkencore ndërkombëtare CENTRUM.

Kryeparlamentari z. Talat Xhaferi prezantoi aktivitetet e ndërmarra nga Kuvendi me përbërjen e re, si dhe angazhimet që e presin në të ardhmen, me theks të veçantë nevojën e miratimit të projektligjeve të reja, me qëllim të përafrimit të vendit drejt strukturave euroatlantike. Po ashtu, ai shfaqi nevojën e kyçjes së shoqërisë civile dhe ekspertëve të ndryshëm në këtë drejtim.

Gjatë takimit, nga të dyja palët u tregua gatishmëri për bashkëpunim në të ardhmen, në drejtim të realizimit të ideve dhe projekteve me interes të përgjithshëm.