Sot, Zelanda e Re u trondit nga një sulm i rëndë terrorist, epilogu i të cilit
deri tani shënon 49 të vrarë dhe disa dhjetëra të plagosur. Ky veprim mizor nga
terroristë me orientim radikal, ka ndodhur në qytetin Christchurch, edhe atë në dy
xhamitë e mbushura me besimtarë muslimanë, Al Noor Mosque dhe Linwood
Mosque. Për ta bërë këtë akt edhe më barbar, sulmi u filmua nga ana e terroristëve
dhe ishte prezent me video paraqitje direkte në rrjetet sociale.
Duke dërguar ngushëllimet tona më të sinqerta deri te familjet e viktimave,
Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) e dënon fuqishëm
këtë akt dhe sulm qyqar ndaj njerëzve të pafajshëm, e që njëherit paraqet sulm
ndaj dinjitetit njerëzor. Po ashtu, duke dashur që raste të tilla mos të përsëriten, i
dënojmë të gjitha aktet dhe veprimet të cilat e nxjerrin në pah islamofobinë dhe të
gjitha llojet tjera të urrejtjes, të cilat sot, për fat të keq, po promovohen në forma të
ndryshme. Andaj edhe si QMBI bëjmë thirrje që bashkërisht të kontribuojmë që, në
botën në të cilën jetojmë, ta ruajmë dhe kultivojmë paqen e sigurinë, tolerancën e
mirëkuptimin, ta respektojmë shenjtërinë e jetës dhe vlerat universale njerëzore.
Shpresojmë që kjo ngjarje e tmerrshme të shërbejë si një nxitje shtesë për liderët
vendor e botëror dhe institucionet relevante rajonale e ndërkombëtare, për
ndërmarrjen e masave më radikale në gjykimin e gjuhës së urrejtjes dhe dënimin e
akteve të tilla makabre.