Sot, me 14 maj 2022, u mbajt Kuvendi i dytë zgjedhor i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI). Në rend të ditës, mes tjerash, ishte edhe raportimi mbi aktivitetet e realizuara nga Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional në mandatin e kaluar katër vjeçar, i shoqëruar me raportin e detajuar financiar brenda kësaj periudhe.
Meqë karakteri i këtij Kuvendi ishte zgjedhor, në punimet e tij në rend dite u gjet edhe pika që kishte të bëjë me zgjedhjen e Kryetarit të Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Pas diskutimeve konstruktive rreth kësaj pike dhe propozimeve të paraqitura nga kuvendarët, Kuvendi e zgjodhi Dr. Kujtim Kasamin për kryetar të QMBI-së në periudhën që vjen.
Në fjalën e tij të rastit, kryetari i ri i QMBI, Dr. Kujtim Kasami, i falënderoi kuvendarët për besimin e dhënë dhe u zotua për përkushtim të plotë dhe angazhim të palodhshëm në kryerjen e detyrës dhe përgjegjësisë që iu dha sot.
Përndryshe, Dr. Kujtim Kasami i ka mbaruar studimet universitare në vitin 2007, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti i Shkencave Humane dhe Arteve, Programi studimor pedagogji-psikologji, drejtimi Pedagogji profesionale, me temë: “Kualifikimi i kuadrit mësimor në gjuhën shqipe në vitet 1945-55 në RM”. Pas kësaj i regjistron studimet e magjistraturës në lëminë e komunikimit, në Institutin për Hulumtime Sociologjike, Politiko-Juridike pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku në vitin 2012 me sukses e mbrojti punimin e magjistraturës me temë: “Shikueshmëria e emisioneve fetare dhe ndikimi i tyre te rinia universitare” dhe merr titullin Magjistër i shkencave të komunikimit. Në vitin 2019 i kryen studimet postdiplomike edhe në Institutin për Shkenca Shoqërore dhe Humanistike në Shkup, drejtimi Studime të politikave, në temën: “Procesi zgjedhor dhe sjellja etike në Republikën e Maqedonisë” dhe fiton titullin Magjistër për studime të politikave. Po ashtu, në vitin 2019 i kryen edhe studimet e doktoraturës pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në drejtimin e Shkencave politike, në modulin: “Demokracia në kushtet e globalizimit”, ku me sukses e mbron punimin e doktoratës me temë: “Zbatimi i standardeve etike në procesin zgjedhor në Republikën e Maqedonisë” dhe fiton titullin Doktor i shkencave në Institutin për Hulumtime Sociologjike, Politiko-Juridike.
Dr. Kujtim Kasami ka marrë pjesë në dhjetëra seminare, konferenca, trajnime dhe simpoziume të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, në shumë prej tyre edhe në cilësinë e ligjëruesit. Po ashtu, ka publikuar mbi 30 punime shkencore në revista të ndryshme shkencore dhe është autor i gjashtë librave me tematika të ndryshme profesionale.