Reagim i QMBI në lidhje me ngjarjet e fundit në vend

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) me vëmendje të madhe po e përcjell rrjedhën e ngjarjeve të fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Veprimet e dhunshme para ndërtesës së Kuvendit republikan dhe Qeverisë së RMV nuk përkasin me protestat paqësore që garantohen me aktet juridike ndërkombëtare dhe vendore. Protestat e tilla tejkaluan çdo nivel të protestave civilizuese, të cilat nuk i shkojnë për shtati një vendi evropian dhe kandidat për BE.

QMBI shpreh shqetësim të veçantë në lidhje me gjuhën e urrejtjes që po dëgjohet në protestat e lartpërmendura dhe dëmtimin që me këtë rast po u bëhet edhe pronave private. Gjuha e urrejtjes dhe veprimet e tilla kanë pasoja afatgjate në mbarëvajtjen e shtetit, i dëmtojnë rëndë raportet ndëretnike në vend dhe ndikojnë negativisht në proceset tona eurointegruese.

Kërkojmë nga organet kompetente që të ndërmarrin masat e duhura për mbajtjen e rendit dhe ofrimin e sigurisë publike e private, si dhe të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të këtyre protestave, të cilët veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe aktet juridike në fuqi.

 

Dr. Kujtim Kasami

Kryetar i QMBI