Prezenca dhe fjalimi në Kuvend i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der
Leyen, ishte ndër sinjalet kryesore të mbështetjes që BE ofron për Maqedoninë e Veriut dhe për
ndërmarrjen e hapit të ardhshëm dhe shumë të rëndësishëm për të filluar bisedimet për
anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky moment dhe vendim kalonte përmes pranimit dhe votimit në Kuvend të Propozimit
Francez, e që i njëjti si dokument përmban zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe
Bullgarisë dhe që u prezantua me shtatë pikat e saja në kohën që Franca po kryesonte me
Presidencën e BE-së.
Pas konkluzionit nga ana e Qeverisë dhe dërgimit në Kuvend, sot, u miratuan
konkluzionet nga propozimi francez, duke bërë kështu një hap vendimtar drejt aderimit të vendit
në BE.
Ne, si Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, e përshëndesim dhe
mbështesim këtë arritje, duke e vlerësuar lartë rëndësinë e miratimit të sotëm në Kuvend, e që
paraqet një vendim historik për vendin. Njëherit, jemi të bindur që e vetmja rrugë drejt
prosperitetit dhe zhvillimit të Maqedonisë së Veriut është e ndërlidhur ngushtë me aspiratat e
anëtarësimit dhe aderimit në Bashkimin Evropian, ndërsa fillimi i bisedimeve do të largonte
shumë peripeci drejt arritjes së këtij qëllimi.
Dr. Kujtim Kasami
Kryetar i QMBI