Me datë 15 maj, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) realizoi një panel diskutimi kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Familjes, me temë: “Barazia gjinore ndërmjet kodit familjar dhe realiteteve të reja”.
Të ftuar në kuadër të këtij panel diskutimi ishin Prof. dr. Drita Mamuti Fazlija, ligjëruese në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Tetovës; Prof. dr. Avni Avdiu, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Sociale pranë Universitetit Nënë Tereza; Prof. dr. Gëzim Xhambazi, ligjërues në Fakultetin Pedagogjik pranë Universiteti të Tetovës.
Fjalë rasti në fillim të këtij organizimi pati kryetari i QMBI-së, Dr. Kujtim Kasami.
Më pastaj, panelistët iu drejtuan të pranishmëve me kumtesat e tyre, përmes të cilave e shtjelluan temën në fjalë nga këndvështrime të ndryshme shkencore.
Prof. dr. Drita Fazliu vuri në dukje se “çdo ligj që miratohet do të duhej paraprakisht t’iu përshtatet normave morale dhe traditave zakonore të një shoqërie ose vendi”.
Doc. dr. Gëzim Xhambazi theksoi rëndësinë që ka barazia gjinore për shoqërinë në përgjithësi, duke i bërë një përshkrim edhe zhvillimit historik në këtë drejtim.
Prof. dr. Avni Avdiu iu qas temës në fjalë nga këndvështrimi sociologjik, duke vërë në pah po ashtu edhe qasjet dhe pikëpamjet e ndryshme gjinore në periudha të caktuara.
Pas përfundimit të kumtesave, të pranishmit patën mundësinë e parashtrimit të pyetjeve dhe diskutimit rreth temës që u trajtua, me ç’rast u zhvillua edhe një bashkëbisedim mjaft interesant.