Në nder të Ditës së Alfabetit, më 22 nëntor, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) realizoi një panel shkencor me temë: “UNIFIKIMI I ABETARES SË GJUHËS SHQIPE DHE PËRDORIMI I SAJ NË HAPËSIRAT SHQIPTARE DHE NË DIASPORËN SHQIPTARE ”.
Të ftuar në kuadër të këtij panel diskutimi ishin Prof. dr. Avzi Mustafa, profesor i pensionuar në Fakultetin Filologjik në Shkup, dhe Doc. dr. Gëzim Xhambazi, ligjërues në Fakultetin Pedagogjik pranë Universitetit të Tetovës.
Fjalë rasti në fillim të këtij organizimi pati kryetari i QMBI-së, Dr. Kujtim Kasami, i cili ndër të tjera përmendi vlerën dhe peshën historike që ka kjo datë në historinë dhe kulturën shqiptare.
Ligjëruesit e mësipërm patën mundësi që t’iu drejtohen të pranishmëve me paraqitjet e tyre, nëpërmjet të cilave u elaborua konteksti historik i unifikimit të Abetares së gjuhës shqipe si mjet i rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës.
Prof. dr. Avzi Mustafa përmendi rrethanat historike që çuan në hartimin e Abetareve apo Abeceve, të cilat gjatë historisë ishin më shumë në numër, të përgatitura nga personalitete të shquara shqiptare, ndërsa për qëllim kishin që të kontribuojnë në ngritjen dhe arsimimin e popullit.
Në anën tjetër, Doc. dr. Gëzim Xhambazi theksoi rëndësinë që shkrimi ka pasur në zhvillimin e një populli, si shtyllë thelbësore për përhapjen e dijes dhe kulturës së shkrim-leximit, dhe në këtë kontekst Dita e Alfabetit shtroi rrugën për ndriçimin e kombit shqiptar.
Ligjëruesit ishin të mendimit se unifikimi i Abetares në plan mbarëkombëtar do vullnet politik, i cili si i tillë do të duhej të ishte i pranishëm edhe në nivele qeveritare.
Pas përfundimit të kumtesave, të pranishmit patën mundësinë e parashtrimit të pyetjeve dhe diskutimit rreth temës që u trajtua, me ç’rast u zhvillua edhe një bashkëbisedim mjaft interesant.

