Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) me shqetësim të madh i pranoi rezultatet e projektit PISA, të publikuara nga Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik në raportin e sivjetmë. Me anë të këtij projekti prestigjioz bëhet matja e performancave të procesit edukativo-arsimor në shumicën e vendeve të botës, ku sivjet është përfshirë edhe vendi ynë.
Fatkeqësisht, shteti ynë është ndër vendet e fundit sa i përket kualitetit të arsimit dhe nivelit të tij, respektivisht në vendin e 71, nga 81 shtetet e përfshira në hulumtim, në fushën e gjuhës amtare, në vendin e 61 në matematikë dhe vendin e 68 sa i përket shkencave natyrore.
Nxënësit e vendit tonë nuk kanë njohuri elementare nga fusha e matematikës dhe shkrim-leximit, thonë rezultatet e PISA-s sa i përket përcjelljes së njohurive të treguara në praktikë të nxënësve 15 vjeçar në vend.
Për të qenë edhe më shqetësues fakti, pas Republikës së Maqedonisë së Veriut nga rajoni jonë radhiten vetëm Shqipëria dhe Kosova.
Me këtë mendojmë se është ndezur alarmi për ndërmarrjen e hapave konkret për të përmirësuar nivelin dhe kushtet e arsimimit në vendin tonë dhe më gjerë. Çështja e kualitetit të edukimit të gjeneratave të reja duhet të jetë në top prioritet e qeverive dhe autoriteteve kompetente në shtet.
Mendojmë se procesi i reformave të njëpasnjëshme të pa analizuara mirë ka sjell deri në rënien e nivelit dhe kualitetit të arsimit në këtë shkallë. Përgjegjësia për këtë gjendje bie mbi të gjitha qeveritë, të cilat gjithmonë ju kanë dhënë prioritet programeve partiake para reformave të mirëfillta në sektorin e edukimit.
QMBI apelon te të gjithë faktorët relevantë, qofshin qeveritarë apo joqeveritarë, por edhe faktori ndërkombëtar, të cilët i mbështesin projektet në fushën e arsimit, që mos të bëjnë hapa të pamenduar mirë duke i titulluar si reforma, sepse këto “reforma” po na rrisin fëmijë analfabetë dhe të paaftë, qoftë për tregun e punës, e po ashtu edhe për mbarëvajtjen e proceseve shoqërore.
Bëjmë ftesë deri te të gjithë subjektet që të na bashkangjiten në këtë thirrje, me qëllim që ky alarm i kuq t’u thërret zërave të arsyes për të përmirësuar gjendjen e arsimimit dhe edukimit në vendin tonë dhe në rajon.
Dr. Kujtim Kasami
Kryetar i QMBI