QMBI PROMOVOI LIBRIN E MR. HEROLIND LIMANI, “E DREJTA E PËRDORIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË”

Dje, më 14.11.2024, e që përkon me datën e fillimit të punimeve të Kongresit të Manastirit, 116 vjet më parë, i organizuar nga elita intelektuale e asaj kohe për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) realizoi promovimin e librit të parë të autorit Mr. Herolind Limani, me titull “E drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”.

Në fjalën e tij të rastit, autori, Mr. Herolind Limani, tregoi se fokusi i librit të tij është në sqarimin e dilemave që paraqiten edhe sot e kësaj dite, pas 5 vjetëve nga hyrja në fuqi e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve (2019), e që ka të bëjë me çështjet vijuese:

  • A është gjuha shqipe gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut sipas Amendamentit V të Kushtetutës;
  • A është gjuha shqipe e barabartë me gjuhën maqedonase sipas Kushtetutës së RMV-së;
  • Ligji i Përdorimit të Gjuhëve, a është në përputhje apo në kundërshtim me Kushtetutën e RMV-së;
  • Përdorimi i gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore, sipas Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve dhe sipas Ligjeve të Procedurave;
  • Përdorimi i gjuhës shqipe në monedha dhe uniforma, si dhe
  • Opinioni i Komisionit të Venedikut në lidhje me përdorimin e gjuhëve në monedha, uniforma dhe procedura gjyqësore.

Panelistë në këtë promovim ishin:

  • Dr. Kujtim Kasami, në cilësi të kryetarit të QMBI-së, që është edhe botues i këtij libri,
  • Prof. dr. Safet Emruli, dekan i Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Tetovës,
  • Prof. dr. Ali Musliu dhe
  • Prof. dr. Bujar Ahmedi.

Përndryshe, promovimi u mbajt në hapësirat e Hotel NB në Tetovë, përpara një publiku të madh, personalitete publike, profesorë universitarë e intelektualë të fushave të ndryshme, miq e familjarë të autorit të librit, Mr. Herolind Limani.